Bilanci i pagesave preku deficitin më të ulët historik në vitin 2025
Deficiti i llogarisë korrente zbret në nivel rekord të ulët falë turizmit dhe remitancave.
Bilanci i pagesave në Shqipëri u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke shënuar deficitin më të ulët historik. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente arriti në vetëm 178 milionë euro, rreth 70 për qind më pak krahasuar me vitin 2024. Kontributin kryesor në këtë përmirësim e dha tremujori i tretë, kur për shkak të prurjeve të larta nga turizmi, bilanci i llogarisë korrente rezultoi pozitiv për të dytin vit radhazi.
Përmirësimi erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së suficitit në shërbime, përmirësimit të të ardhurave nga investimet dhe puna jashtë vendit, si dhe rritjes së remitancave, të cilat kompensuan në pjesën më të madhe deficitin tregtar në mallra.
Deficiti tregtar dhe roli i shërbimeve
Deficiti i tregtisë së mallrave arriti në 5.96 miliardë euro në vitin 2025, me një rritje prej 6.5 për qind krahasuar me një vit më parë, si pasojë e rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve. Në të kundërt, bilanci tregtar në shërbime ishte pozitiv me rreth 4.5 miliardë euro, në rritje me 15 për qind, duke balancuar pjesërisht hendekun në mallra.
Pjesa më e madhe e këtij suficiti erdhi nga turizmi, ku të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve arritën në 2.69 miliardë euro, 17 për qind më shumë se një vit më parë. Të huajt shpenzuan mbi 5.7 miliardë euro në Shqipëri, me një rritje prej 14.7 për qind, ndërsa shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit u rritën me 12.6 për qind.
Fasoneria dhe remitancat në rritje
Edhe sektori i fasonerisë shënoi përmirësim, me të ardhura neto nga përpunimi i inputeve fizike që arritën në 699 milionë euro, 5.6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024, pavarësisht sfidave nga mbiçmimi i Lekut dhe rritja e kostove të punës.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm erdhi nga remitancat, të cilat arritën në 1.1 miliardë euro, duke u rritur me 7.3 për qind. Po ashtu, të ardhurat nga puna jashtë vendit u rritën në 714 milionë euro, 14.6 për qind më shumë, duke reflektuar efektin e emigracionit dhe tregjeve të huaja të punës.
Efekti në kursin e këmbimit
Përmirësimi i bilancit të llogarisë korrente ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye mesatarisht në vitin 2025 me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Ky trend ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke zbritur edhe nën nivelin e 96 lekëve.